Deputeti Dashamir Shehi deklaroi në Publikisht në RTSH se brenda Partisë Demokratike po ndodh një luftë për pushtetin opozitar që sipas tij nuk ka gjasa të kanalizohet në betejë për pushtet kundër Partisë Socialiste. Shehi tha se kjo strategji brenda partisë nuk prodhon asnjë skemë për të marrë qeverinë.
“Kjo që po ndodh është një luftë për pushtetin opozitar. Lidershpi i Bashës ka qenë falimentar sepse nuk ka prodhuar fitore në zgjedhje dhe as simpati popullore përderisa mbahet si figurë udhëheqëse drejtuesi i vjetër, Berisha. Por lufta është për të ardhur në pushtet. Si do fitojnë me palën tjetër unë nuk e shikoj brenda kësaj skeme.
Brum politik brenda këtij debate nuk shoh. Temat më të mëdha që kanë pasur 8 vite nuk kanë janë në axhendën e asnjë grupi politik. Nuk thuhet kurrë pse kemi dalë nga kuvendi, nga reformat. Këtu po merremi unë kam dy letra për ty ti ke dy letra për mua. Është një garë për pushtetin brenda opozitës”, tha Shehi.
Ai theksoi se PD shpëton vetëm në rast se Basha dhe Berisha largohen duke hapur rrugën për rininë. Shehi kritikoi qasjen e PD ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raport që sipas tij i është servirur në “pjatë” kryeministrit Edi Rama.
“Partia Demokratike shpëton nëse ikin të dy këta zotërinjtë dhe atëherë hapet rruga për rininë. Rifillojmë nga e para jo vetëm për Partinë Demokratike. Ndryshimi është thelbësor, Nuk mund ta kthejmë një person për nostalgji. Unë gjykoj për t’u çliruar. Basha ka shkuar tre herë në zgjedhje dhe ka humbur tre herë. Ka një vetëpërmbajtje në zyrë. Sikur Basha të kishte pasur kurajo politike pas zgjedhjeve duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të ishte bërë një proces normal. Ne në vitin 1997 kemi dorëzuar sovranitetin e Shqipërisë. Kemi thirrur spanjollë, turq dhe italianë për të na ruajtur. Shqiptarët morën pushkët dhe ne u thamë ushtrive të huaja hajde na ruani. Tani na vika puna që u dashka sovraniteti se po na ndërhyjnë amerikanët. Amerikanët mund të kenë historitë e veta të errëta por shqiptarët janë borxhli ndaj Amerikës. Acarimi me Amerikën dhe krijimi i një konflikt për reformën në drejtësi është e panevojshme. PD i ka dorëzuar Edi Ramës miqësinë me Amerikën. Kjo rikuperohet me politikë reale. Drama sot është se nuk ka kush i del përpara Edi Ramës. Sot i varën dhe një medalje njeriut që ka grabitur vendin e vet”, tha Shehi.