
Lulzim Basha solli në vëmendje sërish aferën e incineratorëve. Nga Korça ku zhvilloi një takim me demokratët, Basha tha se Trekëndëshi shpik dhe shpif nga mëngjesi deri në darkë për të harruar aferën korruptive të incineratorëve dhe që shqiptarët mos e marrin vesh se ku shkojnë lekët që i marrin nga xhepat.
Basha: 2 dëshmitarë kyç të aferës së incinetatorëve të cilët mund të çojnë prapa hekurave gjysmën e qeverisë janë shpallur në kërkim ndërkombëtare, e dini? S’keni nga ta dini. Sepse Trekëndëshi i Bermudës bën teatër, shpik dhe shpif nga mëngjesi deri në darkë që mos merremi me skandalet e korrupsionit, mos t’i tregojmë të vërtetat shqiptarëve, mos i tregojmë se ku zhduken milionat që i marrin nga xhepat.
Basha i garantoi demokratët se nuk do tërhiqet asnjë hap pas.
Basha: Sharjet që i bëjnë për të na ulur kokat, për të vjedhur shqiptarët dhe pastaj për të na gënjyer le t’i bëjnë 10-fish ndaj meje, ja ku jam, asgjë s’më bëjnë, më të fortë më bëjnë, më të vendosur, i pranoj me kënaqësinë më të madhe.
