Lufta mes radhëve të opozitës ka filluar të bëhet edhe më e ashpër kur në skenë ka dalë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e cila i është kundërvënë kryedemokratit Lulzim Basha, veçanërisht pas sulmit të këtij të fundit në Parlament ndaj presidentit Ilir Meta. Në një intervistë për “News24”, kryedemokrati Lulzim Basha, ka zbuluar atë që ai e cilësoi si sekretin për t’i marrë nga duart kryeministrit aktual, Edi Rama, Bashkinë e Tiranë.
Sipas Bashës, e gjitha kishte të bënte me mospërfshirjen në fushatë të liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Pikë së pari dua ta them qartë sepse është një fakt i ditur publikisht që unë jam i pari dhe i vetmi kandidat që ka mundur Edi Ramën në garë të drejtpërdrejtë për bashkinë e Tiranës. Nuk e kam thënë çelësin e fitores deri më sot, por tani është momenti ta them. Ka qenë vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga fushata për Tiranën. Gjatë këtyre viteve ekspertë dhe kompani të specializuara të fushatave elektorale në bazë të studimeve të tyre kanë rekomanduar vazhdimisht moskandidimin e Sali Berishës në raport me interesat elektorale me Partinë Demokratike,”-tha Basha.
Pas deklaratës së Bashës ka reaguar ashpër deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, Në një status të shkurtër, ajo renditi 3 arsyet e fitores së Bashës, duke vënë theksin tek ndikimi i LSI-së. “Tre çelësat e fitores të z.Basha në Bashkinë e Tiranës në 2011: 1-23 mijë votat e LSI për ty që kurrë si meritove. 2-1500 votat që Hysni Milloshi ia hoqi Edi Rames si aleat i LSI dhe i regjistruar prej saj. 3-50 votat që t’i mbrojti Arben Ristani si Kryetar i KQZ,”-tha ajo.
