Partia Demokratike ka përgënjeshtruar lajmin që qarkullon në media se Edi Rama dhe Lulzim Basha janë takuar në Rinas pas takimeve me komisionerin e BE për zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Në një reagim të shpërndarë për mediat, PD deklaron se nuk ka pasur asnjë takim dhe se kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e vendit.
“Nuk ka pasur asnjë takim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre”, deklaron PD.
Zërat për një takim mes Ramës e Bashës erdhën pas ftesave të shumta që kryeministri bëri ndaj liderit të opozitës për të bashkëpunuar edhe pas zgjedhjeve të 25 prillit të cilat i fitoi Partia Socialiste, por rezultati i tyre nuk është pranuar nga PD.
