Lulzim Basha, në një aktivitet me poetët në “ArTurbina” për lëvizjen studentore të vitit 1990, kërkoi falje për gabimet e Partisë Demokratike, përgjatë viteve, dhe u zotua se PD-ja do të qëndrojë gjithmonë e bashkuar.
“Ne e dimë që detyra jonë kryesore është të përballemi me regjimin aktual, por përpara kësaj duhet të kërkojmë falje. Ka ardhur momenti, 31 vite më vonë, që të shkulim mentalitetin komunist: të linçimit të mendimit ndryshe, të vënies dorë në zgjedhje, të heqjes dorë nga gara e ndershme në ekonomi. Kërkoj sot falje për të gjitha përgjegjësitë tona, gabimet dhe fajet tona, që i ka mundësuar këtij regjimi që ta kthejë Shqipërinë në dimension vuajtjeje”, tha Basha.
“Zotohem sot se PD-ja është në këmbë, është e fortë, ka ditur dhe do të dijë të qëndrojë e bashkuar, sepse kemi misionin “Shqipërinë si gjithë Europa”, shtoi kreu demokrat.
Basha nënvizoi se “kulti i individit shkatërroi individualitetin e çdo shqiptari” dhe se “nuk mund të ketë Europë nëse dikush i mbivendoset dikujt tjetër”.
“Kryengritja studentore e dhjetorit 90, liria politike e pluralizmit, lindja e Partisë Demokratike, janë tre në një. Dhe nuk është rastësi. Por miqtë e mi, duhet ta themi se rruga ishte e vështirë, pikërisht prej natyrës së komunizmit shqiptar, pikërisht prej terrorit që mbizotëronte, kultit të individit që u trajtua gjerësisht këtu. Kultit të individit të cilit për fat të keq vazhdon, siç vazhdojnë shumë aspekte të mentalitetit komunist të dominojnë jetën publike, politike, padiskutim trashëgimtarin e Partisë Komuniste, Partinë Socialiste, kundërshtarin tonë historik, por vazhdojnë edhe brenda familjes tonë politike. Dhe ky nuk është momenti për të thirrur emrin e kryetarit, sepse në vetvete që kulti i individit bëri është që shkatërroi individualitetin e çdo shqiptari. Dhe nuk mund të ketë Europë, nuk ka civilizim Europian, nuk ka qytetërim Europian, ne tani e dimë fal lëvizjes së lirë që është një nga veprat e mira të Partisë Demokratike për të cilët duhet te jemi krenarë dhe ballëlartë. Fal lëvizjes së lirë ne e dimë se Europë mbi të gjitha do të thotë individualitet. Secili është i shenjtë në individualitetin e vet, askush s’mund t’i mbivendoset askujt tjetër. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit, para Zotit”, tha Basha.