Në Nish të Serbisë janë sekuestruar 520 kilogramë kanabis. Sipas policisë serbe, droga u gjet në një kamion mallrash, e ndarë në 134 qese. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanabisi ishte nisur nga Shqipëria, kishte shkuar në Kosovë e më pas në Serbi. Në pranga është vënë dhe shoferi i kamionit, identiteti i të cilit nuk dihet ende.
Gjithashtu nuk dihen personat që janë dërguesit e lëndës narkotike nga Shqipëria që siç duket kanë edhe bshkëpunëtorë në Kosovë, vend që e kanë përdorur si transit. Ministri i Brendshëm Aleksandër Vulin është shprehur se nuk do të lejojë që Serbia të kthehet në një vend të sigurtë për shitjen e lëndëve narkotike. “Vazhdon lufta e ashpër e Ministrisë së Punëve të Brendshme me shpërndarësit e drogës, pavarësisht nëse Serbia është vend tranzit apo destinacion final për shitjen e drogës, me të njëjtën vendosmëri dhe luftë do të arrestojmë këdo që importon dhe shet drogë në vendin tonë. Serbia është nuk do të jetë dhe nuk do të jetë vend i sigurt për shitjen e lëndëve narkotike apo vend i sigurt për shpërndarjen e tyre të mëtejshme.Serbia nuk do të jetë kurrë një vend i sigurt për narkotrafikuesit dhe trafikun e drogës,”- tha Vulin.