Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në luftën për kontrabandë.
Aksioni është duke u zhvilluar edhe në veri të Mitrovicës, ku ka nxitur edhe reagime të forta të qytetarëve atje.
Gjatë aksionit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar nga banorët serbë me gurë, ndërsa është përdorur edhe gazi lotsjellës nga efektivët.
Ndërkohë afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës është djegur një veturë e policisë.
Policia ka njoftuar se ka nisur aksion në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut kundër kontrabandës.
Sipas policisë, operacion në disa lokacione në vend po zhvillohet kundër kontrabandës me mallra.
“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj.”, – thuhet në komunikatë.

“Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor”.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”.
