Tetë persona, mes tyre dhe një fëmijë kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti tragjik ajror. Ngjarja e rëndë është regjistruar në Itali, në qytetin e Milanos në rrugën Marignano, pranë stacionit të metrosë San Donato.
RaiNews bën me dije se avioni privat ishte nisur nga aeroporti Linate dhe do të bënte uljen në Sardenja, por u përplas me një ndërtesë me emrin San Donato Milanese që ishte në ndërtim e sipër, për shkaqe që ende nuk dihen. Pas përplasjes, avioni u përfshi nga flakët bashkëm e ndërtesën dhe disa makina që ndodheshin rreth saj e për pasojë të tetë personat që ndodheshin brenda tij ndërruan jetë në vend.
Mediat italiane kanë zbuluar se tre nga tetë personat që ndërruan jetë pas aksidentit ajror në Milano janë pronari i vetë avionit, biznesmeni Dan Petresku, 68 vjeç, një miliarder rumun me nënshtetësi gjermane, gruaja e tij dhe djali.
Gruaja e tij ishte 65 vjeçe, e lindur në Rumani me shtetësi franceze, dhe djali i tij 30-vjeçar, Dan Stefan Petrescu, i lindur në Mynih dhe gjithashtu me dy shtetësi. I katërti ishte Vova Cohn, një ish-aksioner i klubit të futbollit Dinamo, në Bukuresht. Ende nuk dihen identitetet e katër personave të tjerë, por ka dyshime të forta se fëmija që ndërroi jetë ishte nipi i miliarderit që kishte ardhur në jetë vetëm një vit më parë.
Agjencia Rajonale e Emergjencave ka dhënë vetëm një njoftim të shkurtër në lidhje me ngjarjen.
“Pas kontrolleve të mëtejshme, tetë persona vdiqën në bordin e avionit (një pilot dhe 7 pasagjerë),”- thuhet në njoftim ndërkohë që hetimet për ngjarjen vijojnë. Paraprakisht është raportuar se avioni ka pësuar një dëmtim në motorin e tij gjë që ka shkaktuar humbjen e ekuilibrit të mjetit fluturues.
