Anëtari i kryesisë Partisë Demokratike Fitim Zekthi deklaroi në Publikisht në RTSH se Berisha po krijon një organizatë politike, për shkak se po ndjek një ideologji të diferencuar nga Partia Demokratike.
“Lëvizja e zotit Berisha është një organizatë e re politike. Godet ambasadoren. Në këto kushte nuk ka sens që të bashkohemi. Njerëzit rrinë bashkë brenda një spektri. Nuk di ndonjë rast në botë që një parti që ka rënë nga pushteti, të ruajë të njëjtin narracion dhe të njëjtin ekip. Ne duhet ta pranojmë që ka pasur dualizëm. Narracioni ka qenë shumë i vjetruar.
Amerikanët nuk e pranuan djegien e mandateve. E kundërshtoi me forcë vendimin e Partisë Demokratike. Jemi të detyruar të kemi një narracion të ri. Kjo duket. Basha ka ardhur vonë në Partinë Demokratike. Unë e kam njohur shumë vonë”, u shpreh Zekthi.
Ai deklaroi se përgjatë gjithës kohës mes dy kampeve të PD ka pasur asimetri në diskursin e përdorur. Zekthi u shpreh se Berisha dhe mbështetësit e tij kanë treguar agresivitet duke përdorur edhe sulme personale
“Zoti Berisha tha që do nis një lëvizje për një partia Demokratike më të hapur. Kuvendi duhej mbledhur si e donte ai. Po ta studiosh me vëmendje këto janë lëvizje të njohura. Nuk po ndodhin për herë të parë.
Problemi është se këtu ka pasur një asimetri të plotë. Basha ka përdorur një gjuhë të tërhequr. Foltorja ka pasur një gjuhë agresive. Ka shkuar puna të merren me gjëra personale edhe ndaj nesh që kemi treguar respekt ndaj Berishës. Ka qenë agresivitet i paparë. Është prodhuar një zhurmë foltore. Pushteti dhe dhuna nuk shkojnë bashkë. Nëse ke dhunë nuk ke asnjë gramë pushtet”, tha ai.
