Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëroi se kushdo që tenton të përçajë PD-në do ta gjejë të përgatitur këtë parti për çdo situatë të papritur.
Në konferencën me mediat në selinë blu pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së partisë, Basha shtoi se demokratët nuk kërkojnë konflikt, por ata do ta mbrojnë atë në rast se element të botës së errët do të tentojnë të shkaktojnë probleme.
“S’po kërkojmë konflikt, por kushdo që instrumentalizohet nga bota e errët dhe lidhet me këto fije dhe individin që përçan demokratët, do ta gjejë PD-në të përgatitur për çdo situatë”, tha Basha.
Në konferëncën e sotme, kryedemokrati pranoi se tashmë PD-ja është ndarë nga e kaluara duke iu referuar shkarkimit të ish-kryeministrit Sali Berisha nga funksionet drejtuese të partisë, gjë që u vendos sot në Kuvendin e Jashtëzakonshëm. Gjithashtu, Basha shtoi se tashmë është koha që të gjithë të bashkohen për rrëzimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.