Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku ka zbuluar se ka qenë pro Kuvendit Kombëtar të 18 Dhjetorit në mbledhjen e kryesisë së partisë, për t’iu përgjigjur interesit të demokratëve. Ai u shpreh në Publikisht në RTSH se ka menduar se duke i dhënë përgjigje delegatëve që kërkonin të mblidhej Kuvendi, do arrinin të bënin bashkë demokratët.
“Filloi vala e mbledhjes së firmave nga Berisha dhe njerëzit e tij. Në fillim e bënë si referendum dhe pastaj rrugës ndryshoi. Në mbledhjen e kryesisë debati ishte nëse mbahet Kuvend apo nuk mbahet Kuvend. Kuvend do mbahej sepse statuti e thotë që ¼ mbledh kuvendin. Një pjesë thonin çfarë bëri ky me kuvendin. Kam votuar që të mbahet kuvendi sepse mendoja se duke i dhënë përgjigje asaj kërkese Kuvendin, kishim gjetur një mënyrë për të bashkuar palët. Kur kemi kërkuar firmat, firmat nuk janë dorëzuar. Mbaheshin në zyrën e Palokës”, deklaroi ai.
Sipas tij devijimi nga procedura e rregullt tregon ose se demokratët e Berishës nuk i kanë firmat e mjaftueshme për të mbledhur Kuvendin, ose kanë qëllim për të krijuar strukturë paralele pa përmbushur qëllimin e atyre që kanë firmosur.
“Kuvendi erdhi si reagim i kryesisë. Në përgjigje të kërkesë së firmave erdhi përgjigja nga kryesia. Statuti kërkon që të verifikohen firmat. Pse u devijua? Devijimi ndodhi i qëllimshëm. Kur u kërkua depozitimi i firmave thanë se firmat nuk dorëzohen. Ose nuk kanë firmën, ose nuk kanë asnjë interes të përmbushin firmat e atyre që kanë firmosur ose për të krijuar një parti dhe strukturë paralele. Ka një moment për të provuar kush është shumica. Në datën 18 delegatët e Kuvendit të Berishës mund të vijnë”, shprehet Çollaku.
Lidhur me Kuvendin e datës 18 Dhjetor, ai thotë se kjo është e vetmja mundësi që Partia Demokratike të mos ndahet pa krijuar struktura paralele, ndërsa shton se më pas duhet të ketë korrigjime të PD dhe reflektim për këtë që po ndodh.
“Janë duke u dhënë dora e fundit. Kuvendi pritet të jetë masiv. Mendoj që është mundësi e mirë dhe mbase është mundësia e fundit që PD të mos ndahet. Ata delegatë që kanë firmosur ndershëm për datën 11, kanë një mundësi të vijnë në datën 18. Nëse vazhdojmë me struktura paralele, mjerisht mund të shkojmë drejt ndarjes. Duhet të ketë korrigjime të PD dhe reflektim për këtë që po ndodh. Unë nuk vij në këtë pozicion si tifoz. Jam i bindur për atë që po ndodh. Nuk ka lidhje me drejtimin e Bashës. Ajo që është tabu për mua është aksi pro perëndimor i Partisë Demokratike, shprehet ai.