Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median e njohur spanjolle, El Pais Rama thekson në intervistë se Shqipëria është mësuar që të mos presë asgjë nga Bashkimi Evropian.
“Ne jemi mësuar në rrugën e vështirë për të mos pritur asgjë, sepse kemi parë që Evropa nuk është në një moment shumë të mirë, ka probleme të brendshme dhe zgjerimi nuk pritet me entuziazëm” , ka theksuar Rama duke iu referuar edhe samitit të sotëm. Megjithëse presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, demonstroi në Tiranë objektivin e saj për zhbllokimin e dialogut këtë vit, Rama shpjegon më tej se “Ne i kemi dëgjuar për shumë vite dhe asgjë nuk ka ndryshuar” përgjigjet ai.
“Von der Leyen flet në emër të Komisionit, por Komisioni është një gjë, Këshilli është një gjë tjetër; fjalët e bukura janë një gjë; faktet, janë tjetër gjë. Ka pasur gjithmonë në këtë proces një, dy, tre shtete anëtare që kundërshtojnë. Tani është Bullgaria, kështu që për ne është më mirë të mos presim, sepse kur pret do të ndjesh edhe turpin e refuzimit. ”
Rama këmbëngul se hyrja e vendit të tij në BE është një “nevojë” për të cilën ai as nuk dëshiron dhe as nuk ka një “alternativë” dhe e përmbledh me simbolikë: “Evropa është zgjedhja jonë dhe feja jonë”.
