Fatbardh Kadilli, ish-anëtar i Kryesisë së PD, komentoi protestën e dhunshme të Sali Berishës. Ai tha se qëllimi i protestës së Berishës ishte jashtë politikës, teksa theksoi se lufta e tij me Bashën është se kush do të marrë peng opozitën.
Sipas tij, kjo betejë mes Berishës dhe Bashës është ‘tradhtia’ më e madhe që ata i kanë bërë demokratëve dhe se po lënë vendin pa opozitë.
“Ndjenja që unë përjetova ishte një gjë e shëmtuar nga e cila më vinte turp, një gjë që më shkaktonte dhimbje sepse kisha kolegë në kampin brenda dhe atë jashtë. I pashë të bënin një betejë jo politike, por të vërtetë me njëri-tjetrin. Një luftë e turpshme që tregon se ne kemi hequr dorë nga roli i opozitës. Qëllimi i protestës është jashtë politikës, sepse nuk është më politikë. Çfarë do bëjmë do marrim me duar të nxjerrim jashtë njëri-tjetrin? Kjo s’është politikë. Ka vdekur politika, ato nuk janë më mjete politike. Populli nuk ka mjete dhe mund t’i sulet politikanëve, por jo destablishmentet politike. Selia e PD u kthye në repart sulmi për interesat e Berishës. Lufta mes tyre është luftë kush do ketë mikrofonin e opozitës, kush do marrë peng opozitën. Është një formë e pushtetit opozitën. Nuk është betejë politike, është thjesht luftë”, tha ai.
