Ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim u rikthye për të dytën herë brenda vitit në Bajram Curri të Tropojës. Në një postim në Instagram ajo thotë se kjo vizitë vjen si një premtim i mbajtur se ajo do ta hante atje Darkën e Falënderimeve, një festë e rëndësishme në SHBA.
“Për amerikanët, Dita e Falënderimeve është koha e vitit kur shkojmë në shtëpi për të ndarë një vakt të veçantë me miqtë dhe familjen. Si dikush me rrënjë në mal, është e natyrshme dhe e gëzueshme për mua të “kthehem në shtëpi” në malësitë e Shqipërisë për Ditën e Falënderimeve” – tha Kim.
Por kjo vizitë e Kim në Tropojë vjen në kulmin e përplasjeve me ish-kryeministrin Sali Berisha që pak ditë më parë tha se nuk do ta pranonte asnjëherë në zyrë nëse nuk kërkonte falje për deklaratën për barin. Kim thotë se SHBA mbështet të rinjtë.
“Le të vazhdojmë të zgjedhim të ardhmen në vend të së shkuarës. Faleminderit banorëve të Tropojës për pritjen dhe mikpritjen tuaj të ngrohtë – jam mirënjohës që jam me ju!” – shkruan Kim. Ambasadorja ka vendosur që shpesh t’u përgjigjet akuzave të Berishës me nënkuptim. Pak ditë më parë ajo publikoi një foto duke lexuar librin “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”.