Edi Rama i ka qëndruar mendësisë së tij sa i përket thirrjes së ndërkombëtarëve dhe veçanërisht ambasadorëve të SHBA-ve dhe atyre të BE-së për të mos kandiduar njerëz me të shkuar kriminale duke hyrë në një kurs ‘përplasjeje’ me faktorin ndërkombëtar në vend.
Kryeministri u shpreh se nuk ka nevojë që t’i tregojë detyrën asnjë ambasador dhe se e di shumë mirë. Ndërsa shpjegoi se çdo kandidat për deputet që gënjen për të kaluarën e tij do të mbajë përgjegjësi individuale .
Duke iu referuar thirrjeve të ambasadorëve në vendin tonë për të mos futur në lista kandidatë të dënuar më parë, Rama u përgjigj se asnjë prej tyre nuk mund t’i mësojnë detyrën e tij.
“Ambasadori britanik nuk e kuptoj pse është kaq i përfshirë në procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. Meriton respekt por nuk e kuptoj pse është kaq i përfshirë kur vjen puna për zgjedhjet. Sa i përket pyetjes unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt për ambasadoren amerikane. Por mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane ka thënë kështu apo ashtu. S’kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador, asnjë koordinator në PE. E di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe karshi popullit shqiptar. Ligji është shumë i qartë, fare i qartë, kush ka bërë në të shkuarën 1,2,3,5,7 vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik. Madje unë e kam nxitur të shtohet në atë kohë dhe në administratën publike jo vetëm në politikë. Ligji bazohet mbi vetëdeklarimin e individëve dhe mbi kontrollin e vërtetësisë së deklarimit. Nuk e kuptoj dot akoma në vitin 2020, 30 vjet pasi kemi zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale para ligjit t’i kërkohet partive politike dhe kryetarëve të partive të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri ka gënjyer”, tha Rama gjatë komunikimit me gazetarët.