Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi nga Durrësi se Partia Demokratike nuk mund të jetë shtojcë e Ramës ndërsa e akuzoi atë për marrjen peng të kësaj partie dhe drejtuesit të saj.
“Mori përsipër duke marrë peng kryetarin ti fusë thikën më të tmerrshme pluralizimit politik në Shqipëri. Për pluralizimin politik shqiptarët kanë bërë sakrificat më të jazhtëzakonshme. E paralajmëroj Edi Ramën: Mos luaj me fatet e pluralizmit në Shqipëri se do të presë fati i paraardhësve të tu”.
Berisha u shpreh i bindur se Kuvendi i PD-së do të mblidhet për t`ju ofruar qytetarëve një alternativë të re. Ndërsa theksoi se Basha me vendimin që ka marrë ia kalon edhe Enver Hoxhës.
“Peng kryetari duke fyer mua, ju, çdo demokrate dhe demokrat del një ditë, nuk mund të them sikur të ishte i biri i Enverit se Enveri i bënte me një procedurë por i biri i Diaminit. Do ta bëjmë këtë Kuvend në radhë të parë për të sanksionuar norma dhe standarde për rolin tuaj.”Ato që Berisha nuk i deklaroi vetë i tha përmes Evi Kokalarit, e cila për herë të parë foli për dosje të Lulzim Bashës në SHBA lidhur me fondet e lobimit atje, madje duke aluduar se atij i është hequr viza amerikane për tre vite.
“Zoti Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar sepse është shkëmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lul Bashës, një dosje që ekziston në Shqipëri dhe Amerikë. PD ka paguar 750 mijë dollarë për të lobuar në Amerikë.”
Pas këtyre fjalëve i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Partisë Demokratike, e cila i konsideron shpifje akuzat e Kokalarit.
PD njoftoi se do të ngrejë ndaj saj padi në gjykatë.