Kryeministri Edi Rama deklaroi në seancën e fundit në Kuvend se rruga e Arbrit do të hapet më 29 nëntor, datë e cila përkon me festën e Çlirimit të vendit.
Megjithatë nga ana e saj ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila ishte në terren për të parë nga afër aksin pak orë përpara se të hapet për qarkullim u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes se rruga ende nuk ka përfunduar plotësisht.
“Po e hapim para afatit për të lehtësuar qarkullimin gjatë dimrit dhe padyshim jemi në kushtet e kantierit, kështu që duhet shumë kujdes nga drejtuesve të automjeteve përsa i përket kalimit këtu. Jam me drejtor Qaton këtu, sepse ju do të merrni në dorëzim këtë aks për sigurinë rrugore dhe do ta monitoroni deri kur të jetë i përfunduar. Moti nuk na ndihmon shumë, por HEC-et e Drinit po mbushen.
Kjo është një rrugë në verilindje të vendit, ku shpesh ka edhe reshje dëbore, prandaj duhet të kemi shumë kujdes në përdorimin e rrugës. Kur të ketë reshje dëbore do të mbyllim “By Pass”-in, maksimumi 5 ditë në vit dhe do të përdoret rruga e vjetër, por në ditët e tjera do të jetë totalisht i hapur” tha ministrja.
