Një nga pikat e marrëveshjes së 17 majit 2017 midis kryeministrit Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha ishte edhe zhbërja nga skena politike e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kjo u reflektua edhe në gjuhën që kryedemokrati Basha përdori në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Megjithëse Basha akuzonte kryeministrin për abuzimet dhe skandalet e ministrave të tij, ai nuk linte pa sulmuar ashpër edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe kreun e atëhershëm të saj, Ilir Metën.
“Basti është do vazhdoni edhe 4 vjet me këtë shoumen, me këtë njeriun e shfaqjes, me tuta dhe batuta ndërkohë që ka futur duart e tij të gjata, të Ilir Beqjas dhe të Ilir Metës në xhepat tuaj. Këtë do vazhdoni, do i besoni Ilir Beqajs, do i besoni këtyre partive që kanë një qëllim, të zhvasin shqiptarët të jenë pjesë e tepsisë, se platformë nuk kanë as LSI, as PDIU. Asnjë votë për shushunjat. Koha e shushunjave në pushtet merr fund në 25 qershor. Janë bërë xhind, është bërë bishë Ilir Meta. Pse u bë bishë? Sepse e shikonte veten një dorë në bakllava, një dorë në sheqerpare. Por mesa shoh dorën në bakllava nuk ka për ta pasur kurrë më, por edhe këta të sheqerpares kanë ndërmend t’ia heqin dorën. Edhe këta të PDIU që janë futur me kokë në qypin e turishive, më mirë hidhini në Drin votat sesa tja jepni këtyre, më mirë në Drin të Zi sesa këtyre’, u shpreh Basha në qershorin e vitit 2017.
Kësaj historie i është rikthyer kryeministri Rama teksa ka përballë një koalicion parazgjedhor PD dhe LSI edhe pse vetë kryedemokrati Basha e kishte refuzuar kategorikisht në 2017 se do të bashkëpunonte me Lëvizjen Socialiste për Integrim, në të ardhmen.
Ndërkaq, kreu i qeverisë u shpreh dje se Basha nuk e mbajti premtimin që dha tek marrëveshja e 17 majit 2017 për të zhdukur LSI-në.
Nga ana tjetër, kryedemokrati iu kundërpërgjigj kryeministrit se nuk di çfarë flet dhe atë që thotë sot nuk e thotë nesër, një akuzë ndaj Ramës që në fakt e ka mëshiruar edhe vetë në qasjen ndaj LSI-së./Agora News/
LEXO EDHE:
