Për shkencat politike shqiptare është një rast i papërsëritshëm në historinë e vendit për të studiuar dhe gjykuar nëse:
Duke përdorur liderin historik të PD të përjashtuar nga lidershipi si instrument të tyre, a do të arrijnë:
1. Militantët t’i marrin iniciativën nga dora lidershipit të fjetur të partisë? Apo do të kalojnë nga dora në dorë? Do ta përdorin apo do të përdoren?
2. Elektorati i PD t’i ngrejë zgupthi nga kolltuqet e ngrohta të Kuvendit deputetët që pasi u zgjodhën me votat e tij as nuk ja fërshëllejnë më fare sikundër gjithë deputetët aty? Nuk denjojnë të shkojnë në sallat ku mblidhen militantët qoftë edhe për t’u thënë: E keni gabim! Ka qenë një dukuri e lemerishme kjo që i nxori kallajin marrëdhënies deputet – elektorat!
3. A do të munden demokratët që janë drejtuar prej vitesh dhe drejtohen nga një stil stalinist, nga kulti i njëshit që sot është më shumë sesa dje, sepse është njëshi pa numra të tjera pas që bën si i do qejfi, të kapërcejnë stalinizmin që u ka hipur atyre dhe neve mbi qafë në parti?
4. A do të mundet periferia demokrate t’i imponohet bythënginjurve të Tiranës duke ua vënë këmbën në një këpucë, apo energjia centripete e këtyre muajve do të shuhet, apo do të përfshijë qendrën e fjetur, në gjumë, të anestizuar, servile?
5. A do të mundet militanti që nuk militon sepse do një vend pune nesër, në kundërshtim me individët që mëtojnë postet e lëna duke fshirë prapanicat e lidershipit, të tregojë se vjen, merr nën kontroll partinë, dhe ikën duke qenë zgjuar që fitoren mos ja marrin nga duart?
6. Me një fjalë, a do të mundet qytetari t’i marrë pushtetin politik burokratit politik që ka dekada që e tall, e përdor, e shpërdor? Apo do të jetë përsëri një turmë budallaqe që e kapin për brirësh dhe e fusin në katua si dem të tredhur?
7. A do të arrijnë delegatët t’i imponohen kujtdo, Sali Berishës, Lulzim Bashës, dhe një grupi që nuk zbret dot për ta nxjerrë këmbën veçse deri te shkalla e parë e verandës së SHQUP-it, kujtdo, duke marrë rrëmbimthi ato që nga hiri a pahiri, nuk paragjykoj, janë premtuar në foltore, Pra të drejtën për ta hedhur me bythëpërpjetë çdo individ që i keqpërdor, i tall, i budallalleps, apo do të nanuriten duke e kthyer foltoren në llogjetore, blla blla, si në mitingjet elektorale të 25 prillit, mbush me rrena, mashtrime dhe hipokrizi? A do ta marrin masat të drejtën për të kandiduar dhe përzgjedhur ato vetë drejtuesit e tyre, kryetarët e partive, kryeministrin?
Këto na interesojnë neve si qytetarë. Historia ndonjëherë e sjell që shkundet kur ndodh diçka e papritur dhe e pamennduar. Nga kjo anë “pickimi” që i bën aleatët tanë Partisë Demokratike, “kafshimi” që i bënë, “grushti” që i dhanë, që në fakt kishte dy dekada që hante bar, madje jo vetëm bar, i ka dhënë mundësinë masave dhe atyre që e quajnë veten individë politikë me dëshira lidershipi në këtë parti, të marrin frenat, dhe të demokratizojnë partinë dhe të gjithë skenën politike.
U mërzitën nga propozimi i barit si ushqim!!! Po bar ne kemi dekada që po hamë, pse mërziten nga e vërteta, sepse demokracinë na e kanë rrëmbyer! Shihni a ka ndonjë politikan që flet për demokraci më?
Nuk ka kriza të keqja, ka budallenj, maskarenj, frikaçë, të paaftë që nuk dinë që krizat t’i kthejnë në energji krijuese!
Po nuk ndodhën këto, pas 11 dhjetorit, 18 dhjetorit po të doni, shkojmë drejt e në 25 dhjetor dhe i përkëdhelim mjekrrën Babo Natales, sikurse e meritojnë si fëmijë të rritur që do të jemi!
9. A do të dinë të sillen paqësisht, demokratikisht, pa rrëmujra, pa dhunë, politikisht, por vendosmërisht, në aksionin politik, apo do të bien në kurthin e veprimeve të dënueshme jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht, qoftë edhe vetëm duke i hapur rrugë inatit, pasioneve shpërthyese, sëmundja e masave, sikurse i kanë shtyrë dhe përdorur si mish për top, tallur, në vite?
10. Do të dali një hov demokratik nga kjo krizë që nuk lindi para dy a tre muajsh sikurse kujtojnë disa mashtrues dhe naivë, apo trauma politike kombëtare do të jetë e parikuperueshme deri në 2050! Çfarë rasti studimor, dhe jo vetëm studimor! :))