Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të kandidatëve për Qarkun e Fierit ka theksuar se tashmë është e sigurt që shqiptarët do të votojnë për Partinë Socialiste.
Kjo do të ndodhë sipas Ramës, sepse shqiptarët nuk mund të bëjnë më eksperiemente me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Ndërkaq, ai i bëri thirrje kryedemokratit Lulzim Basha që të frenohet dhe të mos bëjë shfaqje të pamendueshme në një kohë që vendi përballet me pandeminë.
“Dua ti bëj thirrje Lulzim Bashës që të frenohet. Janë shfaqje të pamendueshme, të dëmshme dhe ç’edukuese. Jemi një në këtë luftë. Virusi nuk njeh parti. Është për tu ardhur keq, po shqiptarët nuk do të votojnë më për PD. Kjo është një sfidë më e madhe se të gjitha partitë. Është një votë për hendekun e hapur që sot e një vit, por sot po sabotohet e po përçmohet kjo betejë, kjo përpjekje e përbashkët për ta fituar nga dhe vetëm interesi politik i vetëm një pale që përfaqëson pakicën. Duhet ta këpusim zinxhirin e infektimeve. Kjo është aryeja pse vazhdojmë intesivisht përpjekjen për të siguruar vaksina, që të shtrihemi në të gjithë territorin, që përmes një vaksinimi masiv të lehtësojmë ndjeshëm sezonin turistik, të mbrojmë gjyshërit dhe gjyshet. Vaksinimi i të gjitha bluzave të bardha është bërë tanimë me dozën e parë dhe ka nisur doza e tyre. Vazhdojnë me mësuesit.”-tha Rama nga Parku i Apolonisë në Fier.
